Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar 28-vjetorin e protestës së 1 tetorit 1997, të organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP), duke thënë se ato protesta ishin lajmëtari i lirisë.
Osmani, mes tjerash, thekson se studentët e Kosovës u ngritën jo vetëm për të drejtat e tyre, por për dinjitetin e një populli të tërë, njofton Dukagjini.
“Në vitin 1997, studentët e Kosovës u ngritën jo vetëm për të drejtat e tyre, por për dinjitetin e një populli të tërë. Ata kishin fuqinë e zërit, guximin e zemrës dhe besimin se e ardhmja nuk mund të ndërtohej mbi frikë, padrejtësi dhe terror. Në rrugët e Prishtinës, në auditoriumet e mbyllura, në sheshet e mbushura me thirrje e pankarta, u shkrua një kapitull i artë i rezistencës sonë”.
Tutje, e para e shtetit vlerëson se studentët na mësuan se liria nuk dhurohet, por fitohet.
“Protestat studentore të vitit 1997, ishin lajmëtari i lirisë, nga të cilat secili hap shndërrohej në akt heroizmi dhe secila thirrje për drejtësi bëhej kushtrim për liri e pavarësi. Sot, kur kujtojmë atë ditë të lavdishme, përulemi me respekt para atij brezi që guxoi të sfidojë padrejtësinë me forcën e paqes. Studentët e 97-tës na mësuan se liria nuk dhurohet, por fitohet, dhe e ardhmja nuk pritet, por ndërtohet”, ka shkruar Osmani.