Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë në disa lokacione në komunën e Kamenicës me autorizime të Prokurorisë Themelore.
Si rezultat i këtij operacioni tre të dyshuar janë arrestuar teksa policia ka konfiskuar armë, fishekë, para dhe një granatë dore, transmeton Dukagjini.
“Operacioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit, ku njësitet policore, kanë kryer bastisje në disa lokacione në komunën e Kamenicës, të identifikuara paraprakisht përmes punës operative hetimore policore ndaj një grupi të personave më dyshimin se të njëjtit janë përfshirë në veprat penale si; “Detyrimi”, “Posedim i substancave narkotike” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Gjatë kontrollit shtëpitë dhe objektet përcjellëse të personave të dyshuar janë gjetur dhe sekuestruar: para në vlerë 8700 Euro, një granatë dore, një revole TT me një karikator me shtatë fishek cal.7.62 mm, 145 fishekë cal.7.62 mm, një karikator, 20 fishekë të cal.7.62×39 mm, një sprej piper, një gëzhoj 7.62×39 mm dhe një cigare e mbushur me substancë të dyshuar marihuan me peshë 1.1 gr”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me urdhër të prokurorit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.