Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, mbajti sot tubimin e radhës në lagjen Kolovicë, ku u prit nga një numër i madh qytetarësh. Ai tha se për 25 vite kryeqyteti është qeverisur me qasje selektive, ku lagje të janë lënë pa investime dhe pa kujdesin e duhur komunal.
“Pas 12 tetorit kësaj qasjeje do t’i vijë fundi, sepse një epokë e re po vjen, dhe kjo po ndjehet në çdo lagje e çdo shtëpi të Prishtinës”, u shpreh ai.
Ismaili theksoi se Prishtina ka nevojë për një menaxher të mirë, dikë me përvojë që ka treguar rezultate edhe më herët. Duke përmendur kohën kur drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë, ai kujtoi se atëherë ka punuar me njerëz nga parti të ndryshme, duke i bashkuar për një qëllim të përbashkët.
“Edhe në Prishtinë do të jetë njësoj. Do të punoj me secilin dhe për secilin, sepse qyteti nuk mund të ecë përpara me ndarje politike”, tha ai.
Para qytetarëve të Kolovicës, Ismaili prezantoi pesë zgjidhjet kryesore, urgjente për një Prishtinë funksionale: zhbllokimin e trafikut brenda 18 muajve, rrugë të sigurta 24\7 – me ndriçim dhe pa qen endacakë, një qytet të pastër 24/7, rikthimin e hapësirave publike për qytetarët me ndalim të ndërtimeve të pakontrolluara, si dhe Prishtinën e së ardhmes me inovacion, kulturë e sport në qendër.
Ndërkohë, Ismaili prezantoi edhe projektet konkrete për Kolovicën, të hartuara nga kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të kësaj lagjeje:
-
Ndërtimin e një çerdheje të re për lagjen;
-
Qendër komunitare multifunksionale;
-
Palestër vertikale në tri nivele për sporte të ndryshme;
-
Legalizimin e pronave dhe hartimin e planit rregullues për lagjen;
-
Ndriçim të plotë në çdo rrugë dhe hapësirë publike;
-
Përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe trotuareve;
-
Terrene sportive dhe hapësira rekreative;
-
Autobusë modernë me pritore të ndriçuara dhe transport publik të qasshëm nga çdo pjesë e lagjes.