Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë fillojnë fushatën sensibilizuese kundër kancerit të gjirit.
Po ashtu me rastin e fillimit të Muajit të Ndërgjegjësimit Kundër Kancerit të Gjirit, Ministria e Shëndetësisë njofton se nga data 1 deri më 31 tetor 2025, Mamografi Mobil do të jetë në qytetet e Kosovës.
“Mamografia është metoda më e rëndësishme diagnostikuese për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Si një ekzaminim radiologjik, ajo mundëson identifikimin e ndryshimeve shumë të vogla në indin e gjirit, shpesh para se këto të jenë të dukshme klinikisht. Zbulimi i hershëm ka rëndësi thelbësore, pasi rrit ndjeshëm mundësinë e trajtimit efektiv dhe ul vdekshmërinë nga kjo sëmundje. Mamografia rekomandohet si mjet skriningu për gratë mbi 40 vjeç, ose më herët për ato me faktorë rreziku, duke qenë një procedurë të thjeshtë, të shpejtë dhe të sigurt për ruajtjen e shëndetit të grave. Gjatë këtij muaji, Mamografi Mobil do të jetë në qytetet e parashikuara në kalendar, sipas datave të specifikuara, nga ora 10:00 deri në 16:00”, thuhet në njoftim të MSH-së.