Aktivistja e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka ngritur shqetësime serioze për fatin e qindra ushtarëve shqiptarë që humbën jetën në rrethana të dyshimta gjatë shërbimit ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ), duke kërkuar që autoritetet serbe të hapin arkivat dhe të ndihmojnë në zbardhjen e rasteve.
Kandiq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se, si pjesë e hulumtimit të kësaj organizate për humbjet njerëzore gjatë luftës në Kosovë më 1999, janë mbledhur edhe të dhëna për vuajtjet e shqiptarëve që shërbyen si ushtarë të rregullt në kazermat e APJ-së.
Ajo thekson se këto të dhëna nuk janë të plota, por përmbajnë emrat dhe mbiemrat e ushtarëve, ndërsa burimi i tyre janë familjet ose mediat.
“Të dhënat tregojnë për rrethana të çuditshme, se në kazermat në Serbi ka pasur vetëvrasje të dyshuara”, thotë Kandiq.
Në tri raste, sipas saj, familjet morën njoftime për vetëvrasje, por dyshojnë në vërtetësinë e këtyre raporteve.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me kërkesën e deputetit Kamberi.
As Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk dha përgjigje për të sqaruar nëse ajo dhe Ushtria e Serbisë disponojnë informacione për vuajtjet e ushtarëve shqiptarë në kazermat e APJ-së dhe rrethanat e vdekjes së tyre.