Policia e Kosovës ka apeluar të gjithë drejtuesit e automjeteve për kujdes të shtuar gjatë ngasjes në kushtet atmosferike të këtyre ditëve.
Kjo thirrje vjen pasi gjatë kësaj jave Instituti Hidrometeorologjik ka njoftuar se nga 1 deri më 3 tetor pritet të ketë reshje të dendura në Prishtinë dhe rrethinë.
Kësisoj mund të ketë probleme në qarkullim, rrezik për përmbytje të shpejta, si dhe vështirësi në zonat urbane teksa temperaturat pritet të ulen deri në 1-2 gradë Celsius, transmeton Dukagjini.
Policia në njoftimin e tyre kanë theksuar rëndësinë e ndjekjes së disa këshillave themelore për ngasje të sigurt në kushte atmosferike të vështira: Mbani dritat e ndezura për të rritur dukshmërinë si për veten ashtu edhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik, zvogëloni shpejtësinë, pasi rrugët e lagështa kërkojnë më shumë kohë dhe distancë për frenim, shmangni shpërqendrimet, veçanërisht përdorimin e telefonit gjatë ngasjes, mbani distancë të mjaftueshme nga mjetet përpara jush, për të parandaluar përplasjet e mundshme.