Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të enjten po vazhdon dëshminë për të tretën ditë me radhë dëshmitari i katërt i mbrojtjes- James Peter Covey, i cili ka qenë zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.
Pyetjet shtesë për dëshmitarin po i vijon mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.
Duke iu referuar një dokumenti të cilin Thaçi ia kishte dërguar Bernard Kouchnerit, nëpërmjet të cilit kërkonte armë për disa persona nga radhët e UÇK-së gjatë periudhës së demilitarizimit, Covey tha se e kanë kuptuar se tani i akuzuari ishte vetëm urë lidhëse.
“Dje ose të paktën këto dy ditë sa kam qenë këtu, kemi parë një dokument që Thaçi ia kishte dërguar Kouchnerit ku kërkonte armë për disa persona të UÇK-së, dhe ne e dinim që në atë kohë sipas mendimit tonë kjo nuk duhet të ndodhte. Ne e kuptuam se kjo ishte një urë lidhëse. Kjo ishte përshtypja jonë. Po e kryente detyrën që ia kishin kërkuar të tjerët. Po përpiqej të mbante marrëdhënie të mirë me persona që donte t’i mbronte, nuk donte t’i mërziste këta persona. Pra, ne menduam se kjo sjellje u shfaq disa herë”, tha Covey.
Në një deklaratë të mëhershme, dëshmitari kishte thënë se raporti i Thaçit me disa veteranë ishte “në fije të perit”.
“Lidhja e Thaçit me veteranët e vjetër të luftës që kishin luftuar nëpër beteja ishte në fije të perit dhe ishte shumë i kujdesshëm që të mos e tërhiqte shumë perin se mos këputej”, lexoi Mishetiq.
Duke kaluar tek një temë tjetër, me kërkesën e avokatit Mishetiq, seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin se ofruesi i informacionit ka kërkuar që të jetë informacion konfidencial.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.
Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë./BetimipërDrejtësi