Dy njerëz janë vrarë të enjten pasi një sulmues i shkeli me veturë këmbësorët dhe e theri me thikë një roje sigurie pranë një sinagoge në Mançester të Anglisë, njoftoi policia britanike.
Sulmi ndodhi gjatë Jom Kipurit, ditës më të shenjtë në kalendarin hebraik.
Policia e Mançesterit tha se oficerët e kanë qëlluar të dyshuarin pasi u thirrën në vendngjarje pranë Sinagogës së Kongregacionit Hebraik, Heaton Park, në qarkun Krumpsall në veri të Anglisë.
Policia ndërhyri pasi një dëshmitar tha se një makinë kishte përplasur kalimtarët dhe se një burrë ishte therur me thikë.
Besohet se i dyshuari ka vdekur, por oficerët thanë se nuk mund ta konfirmonin këtë “për shkak të çështjeve të sigurisë lidhur me sende të dyshimta që kishte me vete”.
Përveç dy personave që janë konfirmuar të vdekur, tre të tjerë janë në gjendje të rëndë.
Në vendngjarje janë parë forca të shtuara të policisë, ndërkaq po ashtu janë parë edhe ekipe të emergjencave.
Një video e publikuar në rrjetet sociale shfaqi policinë duke e qëlluar një person brenda perimetrit të sinagogës, ndërsa një tjetër i plagosur u pa i shtrirë dhe dukej se kishte të veshur rroba tradicionale hebraike.
“Jam i tmerruar nga sulmi në sinagogën në Krumpsall”, tha kryeministri britanik, Keir Starmer, përmes një postimi në X.
Për shkak të kësaj ngjarje, ai ndërpreu pjesëmarrjen në samitin e Komunitetit Evropian Politik.
“Fakti që kjo ndodhi në Jom Kipur, në ditën më të shenjtë të kalendarit hebraik, e bën këtë ngjarje edhe më të tmerrshme”, shtoi Starmer.
Ndërkaq, kryetari i Mançesterit, Andy Burnham, tha se ky ishte një incident serioz.
“U bëj thirrje njerëzve që të shmangin këtë zonë. Ky është incident serioz, por në të njëjtën kohë mund t’iu japim siguri njerëzve se rreziku duket se ka kaluar dhe se policia në Mançester e ka trajtuar shumë shpejt” këtë rast, tha ai për radion BBC.
Jom Kipuri është dita më e shenjtë në kalendarin hebraik kur besimtarët shkojnë në sinagoga për t’u lutur.
Vitin e kaluar, Britania shënoi më shumë se 3.500 incidente antisemitike. Këto incidente u rritën pas nisjes së luftës në Gazë më 7 tetor 2023, kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – sulmoi jugun e Izraelit, duke nxitur luftën në enklavën palestineze.
Britania po ashtu ka përjetuar një sërë sulmesh të kryera nga militantët islamikë që nga sulmet terroriste më 11 shtator 2001 në SHBA.
Më 2017, një sulm vetëvrasës me bombë ndodhi gjatë koncertit të Ariana Grande në Mançester.
Po ashtu, viteve të fundit policia ka paralajmëruar lidhur me kërcënimin e terrorizmit nga ekstremi i djathtë./REL