Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dëshminë dëshmitari James Peter Covey në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmitari kërkoi që të bëjë një koment, por nuk iu lejua nga trupi gjykues me arsyetimin se nuk mund të zhvillohet me pyetjet pasuese.
Pasi doli dëshmitari nga salla, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq tha se mbrojtja nuk do të jetë në gjendje që ta përfundojë çështjen e tyre më 14 nëntor ashtu siç është përcaktuar nga trupi gjykues.
Përveç kësaj, ai tha se nuk do të mund t’i përmbahen as afatit për dorëzimin e dosjes përfundimtare.
“Nuk do të jetë e mundur që të përfundojmë me datën 14 dhe për të dërguar mocionet e tjera që na duhen, e po ashtu edhe dosjen përfundimtare të datës 22 dhjetor”, tha Mishetiq.
Mishetiq njoftoi se do ta bëjnë një kërkesë të përbashkët për t’i shtyrë këto afate, por pasi të bisedojnë edhe me Prokurorinë.
“Pra, ne presim që ta bëjmë një kërkesë të përbashkët për ta shtyrë këtë afat përpara se ta bëjmë këtë kemi folur me Prokurorinë dhe do të komunikojmë inter-partes për të arritur një marrëveshje përpara se të vijmë me kërkesën tonë për këtë shtyrje afati”, tha Mishetiq.
Kurse, avokati i Veselit, Rodeny Dixon tha se janë edhe një numër apelesh të cilat duhet të merren parasysh në kuadrin e provave të përbashkëta dhe në kuadër të asaj që do pranohet në prova.
Dixon tha se këto apele kanë të bëjnë me raporte mjeko-ligjore, përgjime dhe me dëshmitarë të Rregullës 155. Tha se këto duhet të merren parasysh kur të merren vendimet lidhur me afatin kohor që e përmendi Mishetiq.
Me kaq përfundoi seanca e sotme në këtë rast gjyqësor./ Betimi për Drejtësi