Para pak ditësh në Kuvendin Komunal të Podujevës, është miratuar buxheti i komunës për vitin 2026.
Përpos se pjesa e dedikuar për investimet kapitale mbetet më e ulët sesa ajo e vitit paraprak, jashtë planifikimit kanë mbetur edhe një sërë projektesh që kryetari aktual dhe kandidat për një mandat tjetër, Shpejtim Bulliqi, i prezantonte si prioritet.
Njëri prej tyre është uji i pijes, problem për të cilin, Bulliqi premtonte zgjidhje para se të zinte karrigen e kryetarit e që në fushatën aktuale, thoshte se do marrë kohë.
Në buxhet, asnjë mjet nuk është i ndarë për këtë projekt por në të, dominojnë asfaltimet e rrugëve.
Në të nuk përmendet as ngrohtorja e qytetit dhe as Liqeni i Pollatës.
E opozita në komunë, këtë e vlerëson mashtrim elektoral.
”Gjersa lavdëron projektet milionëshe, në miratimin e buxhetit të vitit 2026 dhe projeksionet për 2027-2028, nuk i ka përfshi premtimet e dhëna në kohë fushate, nuk e ka asnjë cent të ndarë për ujin e pijshëm. Nga ngutia për të bërë një buxhet elektoral…jam i bindur se e di që s’do jetë kryetar mandatin e ardhshëm, për atë arsye e ka drejtuar buxhetin nga klientela e tij”, ka thënë Besim Latifi – Anëtar i LDK-së në Podujevë.
Kritika për këtë kanë edhe nga shoqëria civile.
”Rënia e buxhetit për investime kapitale tregon mungesë vizioni zhvillimor dhe humbje të prioriteteve. Ajo lidhet me migrimin e lartë dhe mungesën e kushteve për jetë cilësore, si në arsim, shëndetësi e infrastrukturë, çka është konfirmuar edhe nga regjistrimi i fundit i popullsisë. Qeverisja aktuale ka dështuar të përputhë premtimet zgjedhore me mundësitë reale: nuk ka buxhet për ujësjellësin, ngrohtoren e qytetit apo impiantin e ujërave të zeza, projekte kyçe të lëna jashtë planifikimit real. Kjo tregon mungesë të një strategjie të qartë zhvillimi”, ka thënë Shemsi Jashari – Monitorues i komunave.
Shpejtim Bulliqi: Kemi premtuar 2 milionë euro për bujqit, kemi ndarë katër milionë…
Ndër të tjera, është zvogëluar edhe buxhetin për subvencione në 700 mijë euro ose 50 mijë më pak sesa që ishte vitin e kaluar.