Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka akuzuar qeverisjen e kaluar komunale për keqpërdorime në projektet për shtratin e lumit Erenik, duke theksuar se janë shpenzuar miliona euro pa rezultate konkrete.
“Qeverisja e kaluar e 12 viteve në Junik ka shpenzuar me miliona euro në emër të shtratit të lumit Erenik. Mirëpo shtrati i Erenikut sot është më keq se kurrë më parë. Ky është rezultati kur nuk punohet me ndershmëri dhe me profesionalizëm”, ka deklaruar Shehu.
Ai premtoi se gjatë mandatit të dytë, nëse merr besimin e qytetarëve, do ta zgjidhë këtë çështje njëherë e përgjithmonë.
“Në mandatin tonë të dytë, shtrati i lumit Erenik do të rregullohet me standardet më të fundit ndërkombëtare”, ka shtuar ai.
Shehu u bëri thirrje qytetarëve të mos e lejojnë rikthimin e “atij mentaliteti që e ka dëmtuar buxhetin dhe imazhin e Junikut”, duke kërkuar mbështetje për një fitore pa balotazh.
“Juniku nuk duhet të kthehet në duart e atyre që trupin e kanë në Junik, e kokën në Deçan. Vazhdojmë +4, pa balotazh”, përfundoi ai.