Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, në emisionin Debat Plus ka theksuar se lagjet e dendura të kryeqytetit, si Vranjefci dhe Kodra e Trimave, duhet të zhvillohen me plane moderne urbane, duke i krahasuar me “Rrugën B”.
“Unë u kam thënë Vranjefcit e Kodrës së Trimave – edhe për juve ka me pasë, sepse aty është popullsi e dendur dhe s’ka vend ku me ndërtu një çerdhe, s’ka vend ku me ndërtu një shkollë, s’ka vend ku me bë hapësira të gjelbra, as kurgjo. Duhet me ju dhënë koeficient sa më të lartë, në mënyrë që ata me lëshu hapësira dhe me shku përpjetë. Edhe Vranjefcin e shoh si Rrugën B në të ardhmen, sepse duhet me u bë ajo. E kam premtu atë, dhe atë kam me e bë”, ka deklaruar ai.
Berisha ka folur gjithashtu për mënyrën si funksionon zhvillimi urban në kryeqytet, duke e konsideruar të padrejtë dhe të lidhur me interesa të ngushta.
“Kjo, qysh e kuptoj unë, është kështu: një tokë bujqësore që është blerë 100 mijë euro, me Planin Zhvillimor Komunal i hip vlera në 5 milionë euro. Qashtu është kjo. Aty ka milionerë të tillë që komunikojnë me asamblistë, me kryetarë e me opozitë për t’i kryer punët e veta, sepse janë fitime të mëdha”, ka theksuar ai.
Sa i përket debatit për “oligarkët”, Berisha ka thënë se nuk i urren njerëzit që kanë pasuri dhe se në Kosovë nuk ekziston ky term në kuptimin klasik.
“Nuk mendoj që ka oligarkë. Unë nuk i urrej këta që kanë para, mirëpo, mua pasi më ka hangër dreqi që kam kandidu, unë këtë plan zhvillimor qysh e kuptoj, dua ta çoj kah Kodra e Trimave, kah Vranjefci – ata s’janë oligarkë hiç. Unë s’jam kundër që të zhvillohet Prishtina dhe të zgjerohet kah po e mendojnë këta të ashtuquajtur oligarkë”, ka thënë Berisha.
Ai ka shtuar se sipas tij, parimi bazë i kandidatëve për asamble duhet të jetë përqendrimi në problemet e lagjeve dhe të qytetarëve të zakonshëm, e jo në interesat e grupeve të pasura.
“Parimi bazë i kandidatit për asamble është me fol për çështjet e lagjes, për problemet bazike të njerëzve. Kjo është qoroditje”, ka përfunduar Berisha.