Durrësi pret samitin e radhës të nismës Brdo-Brioni – fokus në integrimin evropian dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
Të hënën, në qytetin bregdetar të Durrësit, do të mbahet samiti i radhës i nismës Brdo-Brioni, një forum i nivelit të lartë politik që synon të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe të përshpejtojë procesin e integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Samiti do të mbledhë së bashku liderët më të lartë të vendeve të rajonit, si dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian, raportojnë mediat sllovene.
Nisma Brdo-Brioni është themeluar në vitin 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia, me qëllim krijimin e një platforme dialogu politik mes vendeve të rajonit, për të ndërtuar besim të ndërsjellë, për të forcuar stabilitetin dhe për të mbështetur reformat që kërkohen për anëtarësim në BE.
Kjo nismë është vlerësuar ndërkombëtarisht si një mjet i rëndësishëm diplomatik për afrimin e rajonit me strukturat euroatlantike.
Takimi në Durrës do të fokusohet kryesisht në perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ka rifituar vëmendje të veçantë pas zhvillimeve gjeopolitike në kontinent.
Gjithashtu, udhëheqësit do t’i kushtojnë vëmendje të veçantë edhe planit të ri të BE-së për rritjen ekonomike të rajonit, i cili synon të afrojë më shumë vendet e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët evropian, përmes investimeve, reformave dhe bashkëpunimit më të thelluar ekonomik.
Pjesëmarrja në këtë samit e presidentëve dhe përfaqësuesve të lartë shtetërorë nga Sllovenia, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, pritet të sjellë një frymë bashkëpunimi dhe një mesazh të qartë politik në mbështetje të rrugës evropiane të rajonit./Telegrafi