Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën mbrëma në fshatin Novosellë të Kamenicës, ku si pasojë e goditjes së një veture në anësoret metalike të rrugës, ka humbur jetën një person dhe janë lënduar dy të tjerë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, dyshohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, si rezultat i së cilës drejtuesi i veturës ka humbur kontrollin dhe është përplasur jashtë rrugës.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti derisa ishte duke drejtuar veturën dyshohet se nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës ka humbur kontrollin mbi veturë dhe ka dalë jashtë rrugës duke goditur kështu anësoret e metalit. Si pasojë viktima mashkull kosovar/pasagjer në veturë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa lëndime ka pësuar edhe pasagjeri tjetër mashkull kosovar si dhe vet drejtuesi-i dyshuari”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa shoferi është ndaluar në mbajtje.