Tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt – Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla – janë sjellë sot para Gjykatës, ku pritet të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj tyre.
Në këtë seancë pritet të dëgjohet raporti i autopsisë nga mjeku ligjor Naim Uka.
Ndryshe, në seancën e kaluar u dëgjua eksperti i psikiatrisë, i cili kishte kryer ekzaminimin psikiatrik ndaj të akuzuarit kryesor, Naim Murseli. Eksperti deklaroi para trupit gjykues se nga ekzaminimi nuk janë konstatuar çrregullime të shëndetit mendor te Murseli, as në formë të përhershme e as të përkohshme.
Ai sqaroi se analizat janë bërë përmes dokumenteve të lëndës, bisedave të drejtpërdrejta me të akuzuarin, si dhe përmes vëzhgimit të sjelljes së tij gjatë ekzaminimit.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi”, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ishte inskenuar si grabitje, ndërsa dyshohet se vrasja ishte e planifikuar – me Granit Plavën si ekzekutues dhe Naim Murselin si organizator.
Mbahet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt