Pak centimetra larg e kishte armën nga e cila doli plumbi që i mori jetën Liridona Ademajt.
Kështu ka treguar Naim Uka, ekspert mjeko ligjor, i cili edhe ka bërë raportin e obduksionit të së ndjerës.
“Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar përreth vrimës hyrëse prezencën e faktorëve plotësues të qitjes, të cilët kanë shkaktuar edhe djegien lëkurore me prezencë të grimcave të barutit dhe në bazë të këtyre provave mjeko-ligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet prej 2 deri në 5 cm”, ka thënë Naim Uka – Dëshmitar.
Uka ka qenë dëshmitari i radhës në gjykimin kundër Naim Murselit, Granit Plavës e Kushtrim Kokallës.
“Është e rëndësishme të ceket, se pjesë metalike e kësaj predhe është futur në pjesën e majtë të kokës, e cila është dorëzuar si provë te policët hetues. Si rezultat i kësaj plage, ka ardhur edhe gjakderdhja e brendshme dhe e jashtme trurore, e cila është shkaku i vdekjes”, ka thënë Naim Uka – Dëshmitar.
Gjatë ekzaminimit të trupit të Liridonës, sipas dëshmitarit, krahas plagës së shkaktuar nga arma e zjarrit, ishte vërejtur edhe një mavijosje në dorën e majtë, e cila sipas Ukës është krijuar para ose gjatë vrasjes.
E pikërisht për këtë pati pyetje edhe i akuzuari Naim Murseli.
“Prokuroria pohon se kjo shenjë është shkaktuar nga unë sepse sipas saj kam mbajtur bashkëshorten time, se siç thotë kjo për te mos iu shmangur plumbit a e vërteton raporti juaj qe unë e kam mbajt gruan time në momentin e vrasjes..”, ka thënë Naim Murseli – I akuzuar.
“Mjeku ligjor nuk paragjykon pozita apo situata që kanë mundur të jenë në momentin e vrasjes”, ka thënë Naim Uka – Dëshmitar.
Seanca, në sesionin e pasditës, ka vijuar me dëgjimin e 3 dëshmitarëve të tjerë.
Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në Prishtinë, ndërsa për vrasjen e saj që fillimisht u raportua si grabitje, akuzohen tre persona, përfshirë ish-burrin, Naim Murseli, që ishte në veturë me të në kohën e vrasjes.