Ministri i Drejtësisë, Lamallari: Vrasja e gjyqtarit Kalaja është sulm ndaj gjithë sistemit të drejtësisë

Pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën pasi u qëllua me armë brenda sallës së gjyqit, ka reaguar ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari. Ai e ka cilësuar këtë akt si një sulm ndaj gjithë sistemit të drejtësisë shqiptare, duke kërkuar ndëshkimin më të ashpër për autorin e krimit.

“Sulmi vdekjeprurës me armë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja është sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare. Ky akt i rëndë kriminal duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit dhe siguria e jetës dhe integritetit fizik të njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë, e që shteti do ta mbrojë me vendosmëri e me çdo çmim”, ka deklaruar Lamallari.

Ministri ka theksuar se vrasja e gjyqtarit në krye të detyrës përbën një goditje të rëndë për sistemin e drejtësisë, por nuk do të lejohet të minojë besimin e publikut te shteti ligjor.

“Ne nuk do të lejojmë që sulme si ky dhe i asnjë forme tjetër të cënojnë besimin e publikut te drejtësia e as të errësojnë përpjekjet tona të vijueshme për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, ka shtuar ai.

Lamallari ka paralajmëruar se kjo ngjarje e rëndë nënvizon nevojën për rishikimin e sistemit të sigurisë në gjykata dhe për ashpërsimin e dënimeve për armëmbajtje pa leje.

“Paralelisht me nevojën e rishikimit të sistemit të sigurisë së brendshme nëpër gjykata, pashmangshmërisht duhet të ashpërsojmë dënimin për armëmbajtjen pa leje në Kodin e ri Penal, për të cilin tashmë kemi nisur konsultimin publik. Armëmbajtja pa leje si vepër penale nuk do të trajtohet më siç është trajtuar deri më sot”, ka theksuar ministri.

Duke i dërguar një mesazh të qartë autorëve të krimeve ndaj përfaqësuesve të drejtësisë, Lamallari ka thënë se shteti do të reagojë me forcë dhe vendosmëri.

“Siguria e njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë. Asnjë akt kriminal si ky i sotmi nuk do të mundet kurrë të frikësojë drejtësinë e as misionin e magjistratëve. Ministria e Drejtësisë qëndron në krah të institucioneve të drejtësisë”, ka theksuar ai.

Në fund të reagimit, ministri Lamallari ka shprehur ngushëllime për familjen e gjyqtarit të ndjerë dhe ka uruar shërim të shpejtë për të plagosurit.

“Në këto momente të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, për të afërmit, kolegët e tij dhe për të gjithë trupën gjyqësore. I uroj shërim të shpejtë dy personave të tjerë të mbetur të plagosur nga ky akt kriminal. U prehsh në paqe i nderuar gjyqtar Kalaja”, ka përfunduar ai.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e sotme në Gjykatën e Apelit në Tiranë, gjatë një seance gjyqësore, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje nga një person i pakënaqur me vendimin gjyqësor. Nga të shtënat u plagosën edhe dy persona, babë e bir, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Autori i ngjarjes është arrestuar në vendngjarje, ka pranuar fajësinë dhe gjatë dëshmisë së tij nuk ka shfaqur pendesë, duke deklaruar se ishte “i detyruar të kryente aktin sepse po humbiste gjyqin”.

Shija e redaktorit

Përballja e madhe për Prishtinën: Rama, Çeku e Ismaili më...

Më 9 tetor, e enjte në Debat plus, do të zhvillohet një debat mes tre kandidatëve për kryetar të Prishtinës. Pjesëmarrjen e ka konfirmuar sot...

”Lufta e UÇK-së ishte një pelegrinazh”- Ish-komandant “Remi”: Në UÇK...

Rrustem Mustafa, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, është pyetur për Albin Kurtin nëse është veteran i UÇK-së, pasi ai e ka...

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

Të fundit nga rubrika