Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden, dhe ministren e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe sundimit të ligjit, si dhe për procesin e integrimit evropian.
Presidentja Osmani falënderoi Belgjikën për mbështetjen e vazhdueshme dhe e cilësoi atë si një nga partneret më të besueshme të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Ajo theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian dhe rolin udhëheqës që Belgjika mund të ketë në këtë drejtim.
Osmani vuri në pah rezultatet e arritura në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke e cilësuar bashkëpunimin Kosovë–Belgjikë si një model partneriteti evropian që forcon paqen, stabilitetin dhe perspektivën e përbashkët.