Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përshëndetur marrëveshjen për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gaza, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt paqes dhe stabilitetit në rajon.
Në një reagim të bërë këtë të enjte(sot), von der Leyen lavdëroi përpjekjet diplomatike të SHBA-së, Katarit, Egjiptit dhe Turqisë, duke kërkuar që të gjitha palët t’u përmbahen plotësisht kushteve të marrëveshjes.
“Të gjithë pengjet duhet të lirohen në mënyrë të sigurt. Duhet të vendoset një armëpushim i përhershëm. Vuajtjet duhet të marrin fund”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Kryetarja e Komisionit Evropian theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza dhe se kur të vijë koha, BE-ja do të jetë gati të ndihmojë me rindërtimin dhe rimëkëmbjen e rajonit.
Në një tjetër postim në platformën X (ish-Twitter), von der Leyen shtoi se marrëveshja “bazohet në propozimin e paraqitur nga Presidenti i SHBA-së” dhe përbën një mundësi të re për paqe.
“Mundësia e sotme duhet të shfrytëzohet. Është një rast për të krijuar një rrugë të besueshme politike drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme”,theksoi ajo.