Radio Televizioni i Kosovës ka publikuar një audio-incizim, në të cilin dëgjohet Fatmir Sheholli, tashmë i arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit.
Në këtë incizim, Sheholli bisedon me dy persona – një grua dhe një burrë – duke u rrëfyer për lidhjet e tij me strukturat e Listës Serbe dhe me terroristin e njohur Milan Radoiçiq.
Sipas RTK-së, përmbajtja e këtij incizimi pritet të jetë një element i rëndësishëm në hetimet që po zhvillohen nga organet e sigurisë dhe drejtësisë në vend.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës konfirmoi se hetimet ndaj Shehollit kanë zgjatur për disa muaj, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës.
Në kuadër të aksionit të së enjtes, policia ka realizuar edhe bastisje në banesën e Fatmir Shehollit, ku janë sekuestruar prova materiale që dyshohet se lidhen me aktivitetet e tij të paligjshme.