Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se duke filluar nga ky muaj, shuma e asistencës sociale do të rritet për 20 përqind për të gjitha familjet përfituese të kësaj skeme.
“Rritjen ekonomike dhe rritjen e buxhetit ne si Qeveri çdoherë e kemi ndarë me qytetarin, e sidomos me ata që kanë më së shumti nevojë. Prandaj, duke filluar nga ky muaj, shuma e asistencës sociale do të rritet për 20% për të gjitha familjet që janë përfituese të asistencës sociale”.
Murati thotë se nga kjo rritje do të përfitojnë familjet që aktualisht janë në skemën e asistencës sociale të rregullt, si dhe familjet që janë në skemën pilotuese të Reformës Sociale (SAS), njofton Dukagjini.
“Nga kjo rritje përfitojnë familjet që aktualisht janë në skemën e asistencës sociale të rregullt, si dhe familjet që janë në skemën pilotuese të Reformës Sociale (SAS). Ne vazhdimisht kemi synuar mbështetjen e atyre që kanë më së shumti nevojë edhe përmes masave tjera siç janë Qeveria për Familjet, apo edhe reforma e skemës sociale e cila tani inkurajon punësimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë financiare të familjeve”, ka shkruar Murati.