Zgjedhja e Nenad Rashiqit nënkryetar i pestë i Kuvendit të Kosovës, si përmbyllje e procesit të konstituimit të legjislaturës së nëntë, u cilësua lajm i mirë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Teksa falënderoi deputetët që ndihmuan në zgjedhjen e Rashiqit, nënkryetarja e parë e Kuvendit, deputetja Albulena Haxhiu, hodhi akuza ndaj atyre të PDK-së dhe e cilësoi të habitshëm abstenimin e tyre.
“Ishin të vetëdijshëm për këtë PDK-ja, sot sërish provuan të bllokojnë konstituimin e Kuvendit, por fat i mirë që kjo nuk ndodhi. Prandaj, ne si Lëvizje Vetëvendosje do të fillojmë me procedurat për dërgimin e emrit të mandatarit tonë, kryeministrit Albin Kurti, kryeministrit të tashëm dhe të ardhshëm të Republikës Kosovës, i cili do të drejtojë Qeverinë Kurti 3”, ka thënë Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit.
Pasi tha se është e rëndësishme që konstituimi të jetë final dhe të nis rrjedhja e afateve për zgjedhjen e Qeverisë, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi theksoi se duhet të gjendet mekanizmi për zgjedhje të reja parlamentare sa më shpejtë.
“Për dallim prej Albin Kurtit unë nuk i ndaj serbët në serb të mirë dhe serb të këqij, ky është problem që nuk i takon partive politike, aq ma pak lidershipit shqiptar me i tregu kush janë të mirët e kush të këqijtë. Kjo i takon të kaluarës. Qëndrimi jonë ka qenë i qartë ne kemi vendosë për të gjithë njëjtë, sepse ndryshe i bie me ra në grackën e Albin Kurtit”, ka thënë Memli Krasniqi, Deputet/Kryetar i PDK-së.
Duke treguar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese u bë shkak që LDK-ja të votojë, kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku u shpreh i sigurt se do të shkohet drejt zgjedhjeve të reja.
“Për një pozitë kaq të parëndësishme me u vonua na veç një ditë nuk është kushtetuese, partia e parë ka thënë që i ka numrat, tash e shtatë muaj, që i ka numrat, le të shohim a i ka numrat. Ata kanë thënë i kanë, matematika është e thjeshtë. (A e voton dikush nga LDK-ja) Natyrisht që jo”, ka thënë Lumir Abdixhiku, Deputet/Kryetar i LDK-së.
Deputeti nga komuniteti serb, Rashiq falënderoi kolegët deputetë që i dhanë besimin për të qenë nënkryetar i Kuvendit.
“Me të vërtetë e çmoj një akt të tillë dhe shpresoj që ky të jetë fillim për ndërtimin e institucioneve të reja të cilat gjithqysh po na nevojiten, sa më shpejtë”, ka thënë Nenad Rashiq, Nënkryetar i Kuvendit.
Ndërkaq, deputetët e Listës Serbe thanë se zgjedhja e bashkëkombësit të tyre nga Partia për Liri, Mbijetesë dhe Drejtësi nënkryetar është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.