Presidenti francez Emmanuel Macron ka emëruar sërish Kryeministër në detyrë Sébastien Lecornu, në një veprim befasues që i dha fund disa ditëve spekulimesh dhe negociatash intensive për të zgjidhur bllokimin e thellë politik në vend, shkruan Euronews.
Lecornu dha dorëheqjen papritur të hënën, Macron i kërkoi atij të përpiqet sërish për të formuar një qeveri të re.
Ende nuk është e qartë nëse Lecornu do të mund të krijojë një qeveri funksionale, por që në nisje ai përballet me presion të madh kryeministri i ri duhet t’i paraqesë parlamentit buxhetin për vitin e ardhshëm deri të hënën.
“E pranoj për shkak të detyrës misionin që më është besuar nga Presidenti, për të bërë gjithçka që është e mundur për të dorëzuar një buxhet për Francën deri në fund të vitit dhe për t’iu përgjigjur problemeve të përditshme të bashkëqytetarëve tanë. Duhet t’i jepet fund kësaj krize politike që po i lodh francezët dhe kësaj paqëndrueshmërie që dëmton imazhin dhe interesat e Francës”, shkroi Lecornu në X.
Njoftimi u bë të premten në mbrëmje, pas konsultimeve përfundimtare me përfaqësuesit e partive kryesore politike në Francë.
Më herët gjatë ditës, Presidenti Macron kishte mbledhur liderët e partive në Pallatin Elysee me përjashtim të partisë së majtë radikale “France e Papërkulur”, LFI, dhe të ekstremit të djathtë “Tubimi Kombëtar” teksa sipas pallatit takimi kishte për qëllim të ishte “një moment përgjegjësie kolektive”.
Ky emërim përbën një moment kyç për presidencën e Macron, e cila përfundon në vitin 2027.
Pa një shumicë në Asamblenë Kombëtare dhe përballë kritikave gjithnjë e më të forta, si nga opozita, ashtu edhe nga brenda kampit të tij, Macron ka hapësirë shumë të kufizuar për të vepruar politikisht.
Kriza mori përmasa të reja këtë javë, kur Sébastien Lecornu dha dorëheqjen të hënën, vetëm disa orë pas shpalljes së kabinetit të tij të ri.
Largimi i tij i papritur ndezi thirrje të reja nga opozita që Macron të japë dorëheqje ose të shpallë sërish zgjedhje të parakohshme.
Kjo situatë e trazuar ka fillesën në vendimin surprizë të Macron në qershor 2024 për të shpërndarë Asamblenë Kombëtare. Zgjedhjet e parakohshme që pasuan çuan në një parlament të bllokuar, pa ndonjë shumicë të qartë politike.
Kryeministrit të ri tani i duhet të përballet me të njëjtën skenë të fragmentuar politike dhe të kalojë planin shumë të debatueshëm të buxhetit për vitin 2026.
Buxheti për vitin 2026 është çështje urgjente për Francën, pasi afati për dorëzimin e tij është data 13 tetor.