Për herë të parë në Vushtrri, po investohet në energji të ripërtërishme.
“MDynamic Solutions” ka nisur dy projekte në Komunën e Vushtrrisë për të ndërtuar panele solare, njërin projekt të lokalizuar në Bukosh dhe tjetrin në Vërnicë.
Në këto dy pika do të ndërtohet nga një Impiant fotovoltaik i cili, është një sistem që shndërron energjinë e diellit në energji elektrike duke përdorur panelet fotovoltaike, njofton Dukagjini.
Prezent për të përuruar fillimin e këtij projekti ishte kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
“Si Komunë e kemi mbështet investimin dhe për ne është fat i madh të kemi këtë investim të rëndësishëm. Është prioritet i joni zhvilimi ekonomik komunal dhe pa investime ai nuk mund të arrihet. Jemi të gatshëm me i ndihmu investitorët, me i përkrah investimet, edhe me panele solare, të erës dhe format alternative të energjisë”, ka deklaruar Idrizi për Dukagjinin.
Detaje mbi projektin ka ndarë Arten Bajrushi, bashkëinvestitor në “MDynamic Solutions”.
“Është sipërfaqje prej 9 hektarësh, me një kapacitet të instaluar prej 8.73 megavat. Falenderoj Bekim Shytin, bashkë me të cilin, rrugët tona ndërlidhen prej vitesh dhe më kanë shtyer të vijë në Vushtrri tu më premtu se është më specifike dhe nuk ka burokraci administrative që i hasim në komuna të tjera. Kjo e ka dëshmu, lejen ndërtimore e kemi marr në afat rekord prej 8 muajsh”, ka deklaruar Bajrushi për Dukagjinin.
Vlera e projektit që pritet të përfundoj vitin e ardhshëm, është milionëshe.
“Kapaciteti total është 22 megavat dhe finalizimi i të dyjave projekte shkon dikun deri në 10 milionë euro. Ky është veç fillimi dhe do vazhdojmë me projekte të tjera në Vushtrri.”, ka deklaruar Bajrushi për Dukagjinin.
Bajrushi ka deklaruar se projekti do të përfundohet vitin e ardhshëm gjersa ka theksuar se për MDynamics Solutions këto nuk do jenë projektet e fundit në këtë komunë.