Në prag të Zgjedhjeve Lokale që do të mbahen të dielën, më 12 tetor 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dalë me një thirrje publike drejtuar qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor.
Nga mbledhja e KQZ-së, para ditës së zgjedhjeve, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe ka ftuar qytetarët me të drejtë vote që ta ushtrojnë këtë të drejtë kushtetuese dhe demokratike.
“Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ftojmë të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre për tw zgjedhur pwrfaqwsuesit. Pjesëmarrja juaj është e një rëndësie të veçantë, andaj ju bëjmë thirrje të bëheni pjesë e këtij procesi”, tha Radoniqi.
Radoniqi po ashtu u ka drejtuar një apel të qartë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit, të cilët do të jenë të angazhuar në ditën e votimit.
“Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që do të jenë të angazhuar gjatë ditës së zgjedhjeve, që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht”, tha Radoniqi.
Sa i përket sigurisë dhe integritetit të procesit zgjedhor, Radoniqi theksoi përkushtimin institucional dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
“Me qëllim të ruajtjes së integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, të cilat do të jenë të pranishme dhe të angazhuara me ekipet e tyre në të gjitha komunat e vendit, për të siguruar një proces zgjedhor të qetë, të drejtë dhe të sigurt”, u shpreh Radoniqi./EO