Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka emëruar Nenad Vukmiroviqin ushtrues të detyrës së ministrit për Komunitete dhe Kthim.
Vukmiroviq, i cili deri më tani ka shërbyer si zëvendësministër në të njëjtin dikaster, do të zëvendësojë Nenad Rashiqin, pas emërimit të këtij të fundit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrisë, Vukmiroviq është i lindur në Mitrovicën e Veriut në prill të vitit 1979 dhe është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës dhe informatikës. Ai ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm në qytetin e tij të lindjes dhe më herët ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të Arsimit në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
“Kryeministri Kurti e ka uruar Vukmiroviqin për përgjegjësinë e re dhe i ka dëshiruar suksese në përmbushjen e detyrave të tij në krye të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim,” thuhet në njoftimin e ZKM-së.