Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe njëherit kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të njëjtin post, Përparim Rama, ka ushtruar të drejtën e tij të votës.
Pas votimit, Rama fillimisht uroi për fitoren e Shqipërisë ndaj Serbisë, duke e lidhur këtë fitore sportive me një frymë pozitive për kryeqytetin.
“Urime për fitoren e Shqipërisë dje, një fitore historike, monumentale. Uroj që edhe sot të fitojë kryeqyteti, të fitojë zhvillimi i vendit tonë, të fitojë bashkëpunimi i ndërsjellë nga të gjithë — një unifikim, një zgjidhje e përbashkët për të ardhmen tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha ai.
Rama gjithashtu shtoi se fitorja duhet t’i takojë atyre që punojnë për Kosovën në frymë bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e vizionit për të ardhmen.
“Uroj që fitorja të jetë e atyre që bashkëpunojnë me miqtë tanë ndërkombëtarë, që i çojnë proceset përpara me një vizion të mirëfilltë për të ardhmen tonë”, përfundoi ai.