Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe plani i rritjes ishin në qendër të bisedimeve mes kryeministrittë Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, e cila nisi nga Tirana, një tur në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kreu i qeverisë së Shqipërisë, në konferencën e përbashkët për shtyp, ripërsëriti qëndrimin se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në unionin europian, është duke ecur përpara me shpejtësi.
“Me presidenten patëm një bashkëbisedim që preku të gjitha temat e interesit të përbashkët dhe natyrisht që për ne mbetet një moment shumë i rëndësishëm dhe që vlerësojmë shumë fakti që presidentja dhe KE i japin një rëndësi të posaçme Ballkanit Perëndimor dhe i japin një vëmendje procesit të përafrimit të vendeve tona me BE. Kemi folur për ecurinë e negociatave të Shqipërisë në BE, një proces që në këndvështrimin tonë, por edhe sa dëgjova nga presidentja është duke ecur me shpejtësi. Folëm edhe për planin e ri të rritjes që BE, KE nën udhëheqjen e Von der Leyen i ka vënë në dispozicion çdo vendi të rajonit tonë”, tha Rama.
Edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e konfirmoi se Shqipëria ka ecur me shpejtësi rekord drejt integrimit europian dhe gjithashtu shtoi se do të mbështesë mbylljen e negociatave brenda vitit 2027.
“Shqipëria është në rrugën e duhur për integrimin në Bashkimin Europian. Dua të theksoj që është një progres i mrekullueshëm, shpejtësi rekord. Qëllimi juaj është të mbyllni negociatat në vitin 2027 dhe ne do të jemi me ju në çdo hap të kësaj rruge”, tha Von der Leyen në Tiranë, në konferencë për mediat me Kryeministrin Rama.
“Sepse momenti gjeopolitik është tani. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka riformësuar kontinentin tonë dhe çdo vend europian duhet të zgjedhë vendin e tij. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj mjaft të qartë”, tha Von der Leyen./A2CNN.