Zyrtarët doganorë në Pikëkalimin Kufitar të Vermicës kanë ndaluar një automjet që tentoi të shmangte pikën e kontrollit në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.
Gjatë ndalimit, drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për deklarim, por pas kontrollit të detajuar në bagazhin e mjetit, oficerët doganorë zbuluan mallra të padeklaruara, të ndara në disa pako pa fatura dhe dokumentacion përkatës.
Sipas Doganës së Kosovës, mallrat përfshinin produkte kozmetike, estetike dhe farmaceutike, ndër to: kremra për kujdes të lëkurës, serume, peeling dhe tonera; solucione për trajtime dermo-estetike; filler për buzë dhe fytyrë; pajisje për microneedling dhe derma roller; vitamina dhe suplemente (Vitamin D3, Devit, Feroven); solucione injektuese të ndryshme; produkte për trajtim të flokëve.
Vlera e përgjithshme e mallrave të ndaluara arrin rreth 3,300 euro.
Ndaj personit të përfshirë është inicuar procedurë për kundërvajtje doganore, në bazë të nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës. Mallrat janë sekuestruar deri në përfundimin e procedurave të mëtejme.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në forcimin e kontrolleve kufitare dhe në zbatimin e ligjit, me qëllim të parandalimit të kontrabandës dhe shmangies nga detyrimet doganore.