Tre policë të vrarë dhe 15 të plagosur nga një shpërthim i qëllimshëm në një fermë në Itali

Tre oficerë të policisë ushtarake italiane, kanë humbur jetën dhe të paktën 15 persona të tjerë janë plagosur në një shpërthim të qëllimshëm me gaz në një fermë pranë qytetit Verona, në veri të Italisë.

Sipas mediave italiane, shpërthimi ndodhi në momentin kur policia dhe zjarrfikësit kishin shkuar për të zbatuar një urdhër dëbimi ndaj tre vëllezërve e motrës së tyre, të moshës ndërmjet të 50-ave dhe 60-ave.

Tre viktimat ishin pjesëtarë të trupës së Carabinierëve.

Një burrë dhe një grua janë arrestuar në vendngjarje, ndërsa një tjetër burrë që ishte arratisur pas shpërthimit u lokalizua pak më vonë. Të tre janë dërguar në spital.

Shpërthimi, që u dëgjua deri në 5 kilometra larg, ka shkatërruar plotësisht ndërtesën, duke e kthyer atë në një grumbull rrënojash.

Kreu i rajonit të Venetos, Luca Zaia, tha se prona ishte nën urdhër konfiskimi për shkak të borxheve të akumuluara nga tre pronarët.

“Ky është një moment zie,” tha ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi, duke shtuar se edhe më parë ishin bërë përpjekje për t’i dëbuar tre vëllezërit e motrën, por pa sukses.

“Ishte e qartë që kishim të bënim me persona që do të rezistonin në një mënyrë apo tjetër,” shtoi ai, raporton BBC.

Autoritetet thanë se në vendngjarje ishin dërguar negociatorë për të komunikuar me personat e barrikaduar brenda shtëpisë.

Por pak pas orës 03:00 të mëngjesit (01:00 GMT), dyshohet se njëri prej tyre ndezi bombolën e gazit që shkaktoi shpërthimin fatal.

Në vendngjarje janë gjetur edhe koktej molotovi, bëri të ditur ministri i Brendshëm.

Sipas raportimeve, të plagosurit përfshijnë 11 pjesëtarë të tjerë të Carabinierëve, tre policë shtetërorë dhe një zjarrfikës.

Prokurori i Veronës, Raffaele Tito, tha se ferma ishte në gjendje të rrënuar dhe pa energji elektrike. Ai e cilësoi ngjarjen si “vrasje të paramenduar dhe të qëllimshme”, duke shtuar se shpërthimi kishte ndodhur në katin sipër hyrjes.

“Pak para shpërthimit, oficerët dëgjuan një fërshëllimë — me gjasë momentin kur u hapën bombolat e gazit,” tha prokurori.

Fqinjët thanë për mediat italiane se situata ishte e njohur si e rrezikshme, pasi tre vëllezërit dhe motra kishin kërcënuar më herët se do të ‘hidhnin veten në erë’ nëse do të detyroheshin të largoheshin nga shtëpia.

Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, dhe liderë të tjerë politikë shprehën ngushëllimet për tre oficerët që humbën jetën “në shërbim të vendit të tyre”.

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika