Policia e Kosovës ka ndaluar dhe konfiskuar një automjet të tipit BMW XM me targa zvicerane, pasi drejtuesi i tij është kapur duke vozitur me 77 km/h në zonën me kufizim prej 50 km/h.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 12:31 nga patrulla e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren, përmes radarit mobil.
Pas verifikimit të dokumenteve, është konstatuar se shoferi kishte masë ndalese për drejtimin e mjetit motorik, prandaj policia ka konfiskuar automjetin në bazë të nenit 246, paragrafi 5 dhe l të Ligjit për Trafikun Rrugor.
Drejtuesit i është shqiptuar edhe gjobë prej 500 eurosh dhe një masë ndalese shtesë për 6 muaj.
Policia ka bërë të ditur se, për shkak se personi ka nënshtëtësi zvicerane, do të zbatohen procedurat për njoftimin e autoriteteve zvicerane lidhur me ndalesën për drejtimin e mjetit motorik.
Nga të dhënat në sistemin SIPK, është konstatuar se personi ka të evidentuara 114 gjoba për kundërvajtje, prej të cilave 18 vetëm në dy vitet e fundit, ndërsa 3 prej tyre lidhen me drejtimin e mjetit motorik nën masën e ndalesës.