Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve në Drenas, ku partia e tij nuk arriti të sigurojë fitoren, duke uruar Ramiz Lladrovcin për mandatin e ri si kryetar komune.
Në konferencë për media, Krasniqi tha se asnjë parti, përfshirë edhe PDK-në, nuk i ka arritur plotësisht objektivat në këtë garë zgjedhore, ndërsa humbjen në Drenas e cilësoi si “shije të hidhur” dhe përsëritje të situatës së katër viteve më parë.
“Anjëra parti polikë në këtë proces e as ne si PDK nuk i arritëm objektivat e plota në këtë garë zgjedhore. Natyrisht na la një shije të hidhur humbja në Drenas ishte një përsëritje e situatës së para katër viteve kur elektorati ynë u nda në dy tabore por këtë herë kundërkandiati i PDK e mori besimin e qytetarëve. Kryetari të zgjedhur ia uroj fitoren, dhe shpresoj se do të punojë në të mirë të qytetarëve”, tha Krasniqi.
Ai e uroi Lladrovcin për fitoren, duke i dëshiruar sukses në mandatin e ri dhe duke shprehur shpresën se “do të punojë në të mirë të qytetarëve të Drenasit”.
Krasniqi shtoi se përkundër humbjes lokale, mbështetja për PDK-në mbetet e fortë në nivel qendror dhe se partia do të përqendrohet tani në balotazhin e 9 nëntorit.
“Mesa e kam kuptuar zoti Lladrovci do të kthehet te zyret që ka qenë më herët. Por zyret e PDK janë aty ku është kryesia legjitime e saj, gara atje ka përfunduar fokusi ynë është në balotazh. Ne do ta trajtojmë si situatë pasi të përfundojë ky proces zgjedhor sepse për të gjithë ne më e rëndësishëm është qytetari i Drenasit”, deklaroi Krasniqi.