Muzeu i Luvrit në Paris është mbyllur pas një grabitjeje që ndodhi mëngjesin e kësaj të diele.
Media franceze raportuan se tre burra të maskuar hynë me forcë në muze teksa përdorën një ashensor mallrash për të hyrë në Galerinë Apollo, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Thuhet se hajdutët kanë mbajtur sharrë elektrike të vogla dhe kanë ikur me një skuter pasi grabitën nëntë bizhuteri, ndërkohë që nuk raportohet për të lënduar dhe policia po heton në vendngjarje rastin.
I vendosur në Paris, Luvri është muzeu më i madh në botë me gati 73,000 metra katrorë hapësirë ekspozimi – më shumë se madhësia e dhjetë fushave të futbollit.
Fillimisht u ndërtua në vitin 1546 si një pallat për familjen mbretërore franceze. Mbreti Francis I, banori i parë i tij, ishte një dashamirës i artit dhe kishte ndërmend që tek Luvri të shfaqte koleksionin e tij.
Mbretërit pasues zgjeruan shumë koleksionet e artit të kurorës, me Louis XIV që madje bleu koleksionin e artit të Mbretit anglez Charles I, pas ekzekutimit të tij në Luftën Civile Angleze.
Koleksioni mbeti kryesisht privat deri në shpërthimin e Revolucionit Francez në vitin 1789, dhe në vitin 1793 Luvri u hap si një galeri arti publike. Sot, Luvri ka më shumë se 35,000 vepra arti – përfshirë pikturën e famshme Mona Lisa nga Leonardo da Vinçi – dhe tërheq rreth 30,000 vizitorë çdo ditë.