Një aksion i madh i policisë së Kosovës, ka rikthyer edhe njëherë në vëmendje vrasjen e Audrius Shenaviçius që ndodhi 12 vjet më parë, në veri.
Në shtator të 2013 mbeti i vrarë një doganier lituanez që ishte në krye të detyrës me misionin e EULEX-it në Kosovë. Mbi veturën e tij dhe një tjetër ishte shtënë me armë zjarri në rrugën që të con prej Zvecanit në komunën e Leposaviqit.”
Cak i ekipeve të policisë, me urdhër të Gjykatës e kërkesë të Prokurorisë speciale, ishin nëntë lokacione në Zvecan e në komunën e Zubin Potokut.
Sipas PSRK-së gjatë operacionit janë shoqëruar për në polici 7 persona, të cilët janë liruar në procedurë të rregullt.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë kryer bastisje në dy (2) lokacione në Zveçan dhe në shtatë (7) lokacione në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: – Rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to; – Vrasje të Rëndë; – Sulm ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Gjatë operacionit, i cili është mbështetur edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës, janë shoqëruar në Polici shtatë ( 7 ) persona, dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”.
Prokuroria Speciale sw bashku me Policinw e Kosovws kanw treguar edhe provat tw cilat kanw sekuestruar.
“Gjatë zbatimit të urdhërit për bastisje, si një hap i rëndësishëm procedural në kuadër të një hetimi që është ende në zhvillim, janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale sikurse: dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente, pajisje elektronike të ndryshme etj”, thuhet nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës.
E edhe ky aksion ka nxitur reagimin e autoriteteve serbe. Zyra për Kosovë në Qeverinë serbe e cilësoi aksionin si shtypje brutale fizike ndaj serbëve dhe që synon trazira.
“Kjo ka të bëjë me hakmarrjen e [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurti kundër popullatës serbe në veri të Kosovës për shkak të fitore së serbëve në zgjedhjet e fundit [lokale], por edhe për shkak të nervozizmit të Prishtinës pas dështimit në zgjedhje, të cilin Kurti dëshiron ta kompensojë në kurriz të popullit serb”, thuhet nga Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.
Për aksionin kanë reaguar edhe nga Lista serbe, që lanë fajtore qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
Ndër vite EULEX-i ka publikuar shpërblime të ndryshme për çfarëdo informate që çon te zbardhja e vrasjes së pjesëtarit të saj. Për herë të fundit në 12 vjetorit e vrasjes së tij, EULEX-i i ofroi 82,000 euro për këdo që ka informacione rreth vrasjes së tij./TVDukagjini