Në detyrën e tyre për të mbajtur rendin në burgjet e Kosovës, punonjësit e Shërbimit Korrektues të Kosovës përballen drejtpërdrejt me rrezikun.
Por prej tre muajsh, shtesat për rrezikshmërinë por edhe ato të ndërrimit të natës e ditët e fundjavës, nuk iu janë paguar.
Në redaksinë e Dukagjinit kanë arritur ankesa mbi neglizhencën e kësaj kategorie për shtesat si dhe heshtjen institucionale për çështjen e buxhetit.
Por një arsyetim, Shërbimi Korrektues i Kosovës e ka dhënë për televizionin.
“Në këtë vit fiskal nuk ka pasur plotësim ndryshim të Ligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2025, SHKK nuk ka pas mundësi të paraqes kërkesë për buxhet, pasi që lëvizjet në buxhet për këtë kategori mund të bëhen vetëm në tremujorin e fundit të vitit fiskal, për këtë arsye thesari nuk i ka ekzekutuar shtesat për ndërrime të natës”, thuhet nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Ne si organizatë buxhetore, kemi përgatitur kërkesën për Ministrinë e Financave, dhe pas miratimit të transferit, të gjitha obligimet e mbetura për zyrtarët korrektues do të paguhen në mënyrë retroaktive.
Për ata që dikur drejtonin këto institucione, përgjegjësia kryesore i mbetet Qeverisë meqenëse kjo kategori e punonjësve ishte e njohur dhe aktive për shtetin.
“Fajtore është qeveria e Kosovës, jo SHKK. Qeveria i ka fajet. S’ka qa arsyetohet kurgjo SHKK, është dasht të paguhen me kohë. Kjo është neglizhencë e qeverisë. Shtesat e rrezikshmërisë dhe ndërrimet e natës duhet të paguhen me rrogë. Është me rëndësi se rrogat ashtu kështu janë të vogla”, ka theksuar Sokol Zogaj – Ish-drejtues i SHKK-së.
SHKK nuk ka dhënë detaje rreth numrit të saktë të punonjësve pa shtesa gjersa as Ministria e Financave, nuk ka treguar se pse nuk janë paraparë mjete për këtë kategori./TVDukagjini