Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e nisi qëndrimin e tij në Mbretërinë e Bashkuar mbrëmë përmes takimit me mërgatën shqiptare në Londër.
Gjatë bashkëbisedimit me disaporën Kurti ka thënë se partneriteti i Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar është ndërtuar mbi shtylla si bashkëpunimi në mbrojtje dhe siguri, zhvillimin ekonomik dhe diplomacinë. Sipas komunikatës për media nga zyra e kryeministrit, thuhet se Kurti shtoi se partneritet forcon lidhjet dypalëshe, nxit shkëmbimin e njohurive dhe kontribuon në paqe, stabilitet e mirëqenie të ndërsjellë.
“Në vijim, kryeministri foli rreth të arriturave të qeverisë përgjatë këtij mandati të ndërlidhura me bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, duke veçuar investimet në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, katërfishimi i buxhetit të mbrojtjes, trajnimet e anëtarëve të FSK-së, dhe pajisja me sisteme të reja; rritja ekonomike me mesatare prej 6%, gjersa janë rritur të hyrat buxhetore, janë mbështetur qytetarët dhe ndërmarrësit prodhues e forcuar lidhjet tregtare dhe investimet nga Mbretëria e Bashkuar”, thuhet në komunikatën për media.
Më tej në komunikatë u tha se “Kryeministri theksoi rëndësinë e diasporës sonë, krahas përkrahjes dhe vëmendjes së qeverisë ndaj mërgimtarëve tanë. Përmes programit Citizen Diplomacy Felloëship po sjellim profesionistë të rinj nga diaspora në sektorin publik, duke ju mundësuar të kontribuojnë me ekspertizë dhe të formësojnë të ardhmen e Kosovës përmes angazhimit profesional dhe qytetar, ndërsa me lansimin e Dritares së Investimeve të Diasporës, pjesë e Fondit të Garancisë Kreditore, i mundësojmë diasporës të marrin kredi investimi pa kolateral, duke sjellë idetë dhe përvojën e biznesit të tyre në atdhe dhe duke ndihmuar në këtë mënyrë rritjen ekonomike të Kosovës”.
Duke e ftuar diasporën që të vijnë e të investojnë në Kosovë, kryeministri shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë për ta thelluar bashkëpunimin dhe ngritur iniciativa të tjera të reja që sjellin mërgatën më pranë vendit tonë dhe nxisin zhvillimin dhe progresin e shtetit.
Në këtë ngjarje prezent ishte dhe ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe, Ilir Kapiti.


