Ditëve të fundit ka pasur ankesa nga qytetarët për mënyrën se si po zhvillohet procesi i verifikimit të pensionistëve.
Shumë prej tyre janë detyruar të paraqiten fizikisht në zyrat e pensioneve, për të vërtetuar nëse janë ende gjallë – gjë që ka shkaktuar pakënaqësi, sidomos te ata që janë në moshë të shtyrë apo me probleme shëndetësore.
Për këtë çështje, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka reaguar sot me një sqarim publik.
Sipas MFPT-së, pensionistët mbi moshën 80-vjeçare nuk janë të detyruar të shkojnë vetë në zyrat e pensioneve.
Ata mund të dërgojnë kërkesë përmes telefonit ose e-mailit, dhe ekipet mobile të Ministrisë do të shkojnë në shtëpitë e tyre për ta kryer verifikimin.
“Kërkesën mund ta bëjë vetë pensionisti dikush nga familjarët, mjafton të ofrohen të dhënat e sakta të pensionistit dhe arsyet e kërkesës. Ekipet mobile punojnë 7 ditë në javë, për të siguruar që të gjitha familjet të vizitohen në kohë dhe në mënyrë të rregullt”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
MFPT ka publikuar edhe numrat kontaktues të ekipeve mobile në gjashtë qytete të Kosovës, ku mund të thirren për të realizuar këtë shërbim.