Edhe katër ditë i kanë mbetur Albin Kurtit, deri në përfundimin e afatit kushtetues për formimin e qeverisë.
E në mungesë të numrave, duhet një koalicion për formimin e qeverisë, por që ende nuk dihet nëse ka pasur ndonjë takim me partitë politike për këtë.
Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk janë përgjigjur në lidhje me këtë dhe nëse Kurti do të arrijë të sigurojë votat për qeverinë deri të dielën.
Ndërkohë, në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet. Deputeti Rashit Qalaj shkurt ka thënë se sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme është më mirë për vendin.
E Krenar Xhaferi, deputet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, thonë se janë për zgjedhje, por fillimisht duhet një qeveri e përbashkët.
“Për mendimin tim, LDK ka propozuar zgjidhjen më të mirë për të dalë nga kjo situatë: krijimin e një qeverie të përbashkët të të gjitha partive politike, pa pasur në drejtimin e saj asnjërin nga liderët aktualë politikë. Kjo qeveri do të duhej të fokusohej në disa drejtime thelbësore: 1. Ndërhyrje të shpejta ekonomike, sepse vendi gjendet përballë një kolapsi ekonomik. Kjo kërkon një agjendë të qartë për rimëkëmbje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. 2. Sanimin e dëmit diplomatik, përmes një agjende konkrete që synon rikthimin e marrëdhënieve të shkëlqyera me SHBA-të dhe me vendet mike evropiane. 3. Zgjidhjen e çështjes së Presidentit të Kosovës, pasi brenda katër muajsh vendi do të përballet me këtë sfidë të pashmangshme” – Krenar Xhaferi – Deputet i LDK-së
Ndërkohë, njohësit e zhvillimeve politike, konsiderojnë se Albin Kurti nuk ka vullnet për të bashkëpunuar me partitë të tjera.
“Momentalisht dhe proceduralisht jemi në një lloj amullie tash ka qenë një kërkesë në gjykatën kushtetuese mundet me ndodhë që gjatë kësaj jave z,Kurti ta thërras një seancë dhe të provojë të krijoj qeveri pa kualicion, dhe gjithsesi do të dështon…Është pak e mundshme që në një situatë të tillë të themelohet qeveria unë do të dëshiroja sepse vendi është në humbje të madhe me këtë ngërc institucional por unë shpresojë shumë pak në këtë mundësi..”, ka thënë Adrian Zeqiri – Analist politik.
Më 11 tetor, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka mandatuar Albin Kurtin nga Lëvizja Vetëvendosje, për të formuar qeverinë, si parti fituese e zgjedhjeve.
Afati kushtetues përfundon më 26 tetor dhe në rast se nuk i ka votat, një shumicë e dytë parlamentare ka dhjetë ditë të tjera kohë për të formuar qeverinë. E nëse edhe kjo dështon, vendi shkon automatikisht në zgjedhje.