Gjykata Themelore në Prishtinë pritet ta mbajë sot e hënë seancën e radhës për rastin “Banjska” kundër të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Seanca e mëparshme, më 21 tetor, ishte anuluar për shkak të mungesës së dëshmitares Dragana Antonijeviq.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, njoftoi se në vend të dëshmitares ftesën e kishte pranuar babai i saj, i cili konfirmoi se Dragana ndodhet aktualisht në Serbi.
Gjykata ka paralajmëruar mundësinë e përdorimit të ftesës ose urdhëresës policore për sjelljen e dëshmitares në seancat e ardhshme.
Një ditë më parë, në një seancë të mbyllur për shkak të sigurisë, dëshmoi dëshmitari anonim “A2”. Në këtë rast janë propozuar tre dëshmitarë anonimë: “F1”, “A2” dhe “X1”.
Kjo nuk është hera e parë që seancat e këtij rasti zhvillohen pjesërisht të mbyllura për të mbrojtur dëshmitarët.