Një prokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, me inicialet B.Sh., është arrestuar sot nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Arrestimi është realizuar në vendin e punës së të dyshuarit, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa veprimet janë ndërmarrë nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe legjislacionin në fuqi.
Tutje thuhet se hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e dyshimeve për korrupsion dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të palëve të përfshira.