Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbreshë Kryeziu-Hyseni, në një linjë direkte në Debat Plus në RTV Dukagjini, ka thënë se LDK ka pasur mundësi të bashkëqeverisë me Vetëvendosjen, por sipas saj, mospjesëmarrja e saj vjen nga inate politike.
Ajo ka deklaruar se bashkëpunimi me VV-në është penguar nga qëndrime personale dhe politike, e jo nga arsye të mirëfillta programore.
“Nuk do të duhej lejuar që deputetët e Kuvendit ta shtyjnë vendin drejt një krize të tillë, duke mos marrë pjesë thjesht për inate politike në raport me Lëvizjen Vetëvendosje. Sepse unë s’shoh që ka diçka tjetër përveç inatit politik që me çdo kusht të pengohet rikthimi ose vazhdimi i mandatit të kryeministrit dhe qeverisë Kurti. Gjithsesi, po gjenden forma për ta bërë ndryshe, pa Lëvizjen Vetëvendosje… ”.
”Sidomos me mosvotimin e qeverisë të dielën, është shfaqur edhe më shumë ajo që e kemi përsëritur vazhdimisht gjatë këtyre muajve – se bllokuesit e vërtetë të gjithë kësaj situate janë pikërisht këto parti politike, të cilat nuk janë treguar as bashkëpunuese dhe as të gatshme që të paktën të ulen dhe të diskutojnë për çështje që do të kontribuonin në zgjidhjen e situatës”, ka thënë ajo.