Putin mirëpret në Kremlin kryediplomaten e Koresë së Veriut

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka mirëpritur kryediplomaten e Koresë së Veriut në Kremlin më 27 tetor, teksa forcat ruse po vazhdojnë ofensivën e tyre në lindje të Ukrainës, duke depërtuar në një qytet kyç në mes të luftimeve të ashpra.

Mediat e Koresë së Veriut thanë se ministrja e Jashtme, Choe Son Hui, diskutoi “shumë projekte të ardhshme për të forcuar dhe zhvilluar vazhdimisht” raportin dypalësh, duke i përcjellë po ashtu Putinit “respektin vëllazëror” të udhëheqësit Kim Jong Un. Detaje të tjera për takimin nuk janë dhënë.

Koreja e Veriut është bërë një mbështetëse kyç e luftës gati katërvjeçare të Rusisë kundër Ukrainës, duke dërguar artileri, raketa dhe trupa në Rusi. Pheniani në këmbim ka pranuar teknologji ushtarake ruse dhe ndihmë ekonomike.

Vizita e kryediplomates së Koresë së Veriut vjen teksa Rusia po ka vështirësi që të mbajë nivelin e rekrutimeve përballë humbjeve në rritje dhe stimulimeve financiare të ulëta. Javën e kaluar, Rusia njoftoi se do të synojë të përdorë rezervistët për të mbrojtur infrastrukturën civile, pas rritjes së sulmeve ukrainase me dronë.

Një lëvizje e tillë potencialisht do t’i lejonte Moskës që të kishte më shumë trupa për të luftuar në front, ku po përballet me humbje të mëdha në përpjekjen e saj për të marrë sa më shumë territor të Ukrainës. Rusia po ashtu raportet se po synon që të rekrutojë më shumë luftëtarë të huaj për të mbushur radhët.

Deri më tani, Koreja e Veriut ka qenë furnizuesja më e madhe me trupa të huaja për Rusinë, duke dërguar, sipas raportimeve, 11.000 ushtarë vitin e kaluar me qëllim që të zmbrapseshin ushtarët ukrainas nga rajoni rus i Kurskut. Mediat në Korenë e Veriut nuk treguan nëse Choe ka diskutuar për dërgimin e më shumë ushtarëve drejt Rusisë.

Pavarësisht humbjeve të mëdha në front, forcat e armatosura ruse vazhdojnë të përparojnë ngadalë në lindje të Ukrainës. Rreth 200 trupa ruse kanë hyrë në qytetin kyç logjistik Pokrovsk në rajonin Donjeckut.

Në fjalimin e tij të përnatshëm, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia ka grumbulluar forca të mëdha sulmuese afër Pokrovskut. Ai tha se aktualisht ka “aktivitet të konsiderueshëm sulmues” rreth qytetit, përfshirë brenda tij, por nuk dha një vlerësim për situatën.

Rusia ka tentuar që të marrë Pokrovskun për më shumë se një vit.

Ndërkohë, Zelensky tha se ka zhvilluar një takim me prodhuesit e dronëve dhe raketave me rreze të gjatë veprimi, duke thënë se është gati të nënshkruajë kontrata trevjeçare me kompanitë që prodhojnë armët më efektive. Lideri ukrainas shtoi se është siguruar financimi për këto armë.

Ukraina i sheh armët me rreze të gjatë si një mjet kyç për t’i dhënë fund luftës më të gjatë në Evropë për dekada. Ajo ka përdorur dronë dhe raketa të prodhuara në Ukrainë për të kryer sulme thellë brenda Rusisë duke shënjestruar rafineritë e naftës, që janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave të Rusisë. Megjithatë, Ukraina po kërkon raketa më të fuqishme perëndimore, përfshirë Tomahawk të prodhuara në Shtetet e Bashkuara për të sulmuar këto caqe.

Eksportet e naftës ruse përbëjnë rreth një të tretën e të ardhurave totale të buxhetit federal rus dhe janë thelbësore për financimin e luftës së Kremlinit. Sulmet ndaj rafinerive po ndodhin në një kohë kur çmimet e naftës po bien dhe në kohën kur Moska po përballet me rundin më të ashpër të sanksioneve perëndimore, duke thelluar problemet ekonomike të vendit.

Javën e kaluar, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj dy prodhuesve më të mëdhenj të naftës në Rusi dhe paralajmëroi se palët e treta që blejnë produktet e tyre, sikurse Kina dhe India, mund të përballen me ndëshkime. Këto sanksione erdhën pas një mase të ngjashme të vendosur nga Mbretëria e Bashkuar dhe pas sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj industrisë ruse të naftës./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

Osmani pritet me nderime ushtarake në Riad të Arabisë Saudite

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderime ushtarake në vizitën e saj në Arabinë Saudite.  Ajo po qëndron në Riad, pas ftesës që...

Mes familjes dhe ushtrisë – Historitë e fëmijëve amerikanë që...

Flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai i NATO-s, përtej historisë në këtë hapësirë, shënojnë edhe një destinacion ku siguria dhe bashkëpunimi...

Hotel Dukagjini nikoqir i Asamblesë së Federatës Ndërkombëtare të Alpinizmit...

Rreth 130 përfaqësues të 90 shteteve të ndryshme të botës do të qëndrojnë për disa ditë në Pejë. Kjo për shkak se Federata e Bjeshkatarisë...

Të fundit nga rubrika