Kandidati për kryetar të Komunës së Pejës nga Lëvizja Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, ka njoftuar se i ka dërguar një ofertë zyrtare për bashkëpunim kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Pejë, Ali Berisha.
Në një postim në Facebook, Kelmendi ka theksuar se Peja nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga pazaret politike të fshehta dhe ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të marrë përgjegjësi për qeverisjen e qytetit, duke vënë në qendër punën, drejtësinë dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
“Koha e varësisë nga pazaret e fshehta me Gorazhdecin dhe Listën Serbe duhet të marrë fund”, ka shkruar ai.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, që do të mbahet më 9 nëntor, Kelmendi do të garojë me Gazmend Muhaxherin nga LDK-ja, i cili doli i pari në raundin e parë me 46.25% të votave.
Kelmendi mori 27.78%, ndërsa Ali Berisha 18.21% të votave.