Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të zhvillohet seanca gjyqësore ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, të cilët po akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018.
Bashkë me ta në këtë proces po gjykohet edhe ish-deputetja Drita Millaku. Të pandehurit akuzohen për veprat penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Seanca e sotme vjen pas urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për sjelljen me detyrim të Sveçlës, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, pasi këta të fundit kishin munguar pa arsye në seancën e 16 shtatorit.
Siç ka raportuar gazetarja e Dukagjinit, Dorentina Thaçi, nga seanca në sallë janë Pacolli, Zyba e Millaku, ndërkaq Sveçla edhe sot ka munguar.
Gjyqtari, Sabit Sadikaj ka thënë se i njëjti përmes zyrtares ka dërguar email që ka arsyetuar mungesën.
Pasi që i pandehuri Xhelal Svecla e ka arsyetuar mungesën e seancës e njëjta nuk mbahet por shtyhet.


