Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është takuar sot me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, për të përsëritur qëndrimin e qartë të subjektit që ai udhëheq lidhur me zhvillimet politike në vend.
Pas takimit, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, konfirmoi se Krasniqi i ka bërë të ditur presidentes se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë parlamentare për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë.
“Po, sot pasdite, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me Presidenten Osmani, për t’ia përsëritur qëndrimin e qartë dhe parimor të PDK-së, tashmë të bërë publik edhe përmes komunikatës zyrtare, se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë.
Në këtë rrethanë, çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm një përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që vetëm se do ta thellonte krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione”, ka thënë Abdullahu.