Policia e Kosovës ka bërë të ditur se personi i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Golluboc të Malishevës, i cili u arrestua në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, ishte i plagosur.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është realizuar rreth orës 06:25 në fshatin Pllaqicë, ku i dyshuari A. I. (1983), shtetas kosovar, është lokalizuar dhe kapur nga njësitë policore.
“Dje më datë 06.11.2025, rreth orës 11:30, jemi njoftuar për rastin vrasje në fshatin Gollubovc të Malishevës ku viktimat e rastit ishin dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vëllezër).
Njësitë e nevojshme policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, gjatë ekzaminimit, janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri që dyshohet të jenë përdorur në këtë rast. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe identifikimin e të dyshuarit.
Sot, më datë 07.11.2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë, është arritur të arrestohet personi i dyshuar A. I. (1983), mashkull kosovar. Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi i njëjti ka pasur plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor.
Hetimet lidhur me rastin janë në zhvillim e sipër dhe po udhëhiqen në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në njoftim.