Transferimi i rregullt i pushtetit te kryetarët e rinj në komunat në veri pas rundit të dytë të zgjedhjeve lokale, u përmend si moment për heqjen e mëtejme të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, në raportin e Komisionit Evropian për vendin.
Por, zyrtarë të këtij institucioni të Bashkimit Evropian nuk patën përgjigje të prerë nëse të gjitha masat do të hiqen menjëherë pasi kryetarët e rinj të vendosen në zyrat komunale.
E, as nëse Kosova do të nisë edhe vitit 2026 me ndëshkimet që iu vendosën më 2023.
“Paralelisht me përpjekjet për deeskalim në veri të Kosovës, Komisioni tashmë ka ndërmarrë disa hapa për heqjen graduale të masave që nga maji 2025. Më specifikisht, Komisioni ka rikthyer katër projekte të asistencës teknike për investime potenciale në të ardhmen lidhur me reformat dhe rritjen. Hapat e radhës mbesin të kushtëzuara nga shtensionimi i qëndrueshëm në veri”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper.
Ndërkohë, blloku 27-anëtarësh pati vlerësim pozitiv lidhur me procesin zgjedhor të 9 Nëntorit.
“Lidhur me zgjedhjet, ne mirëpresim procesin e rregullt dhe gjithëpërfshirës të zgjedhjeve për kryetarë komunash, të dielën. E po ashtu, bëjmë thirrje për certifikim dhe zbatim të shpejtë të rezultateve zgjedhore”, ka shtuar HIpper.
Përkundër se në pranverë, pak para dy-vjetorit të vendosjes së masave, Bashkimi Evropian njoftoi nisjen e heqjes graduale, ndaj Kosovës ende mbesin në fuqi pjesa më e madhe e masave ndëshkuese.