Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkruar lidhur me Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kombëtare dhe drejtësisë për viktimat e luftës.
Ajo ka takuar drejtorin Atdhe Hetemi dhe ekipin e tij, ku ka theksuar se çdo jetë e humbur gjatë luftës është kujtesë e dhimbshme dhe se pa mbrojtur të vërtetën, pa drejtësi dhe pa kujtesë, nuk mund të ketë paqe të vërtetë.
“Në takimin me drejtorin Atdhe Hetemi dhe ekipin e tij të përkushtuar, theksova se drejtësia për fëmijët, gratë dhe të gjitha viktimat e luftës është borxhi ynë më i madh si shtet dhe si shoqëri. Çdo jetë e humbur është kujtesë e dhimbshme se pa mbrojtur të vërtetën, pa drejtësi dhe pa kujtesë – nuk ka paqe të vërtetë”, ka shkruar Osmani.
“Instituti nuk është vetëm arkiv – është ndërgjegjja e kombit tonë, dëshmia e sakrificës mbi të cilën u ngrit liria jonë. Prandaj, e vërteta e dokumentuar do të dëgjohet dhe do të jetojë”, thuhet tutje nga ana e Presidentes.
Presidentja ftoi qytetarët, studiuesit dhe të rinjtë e vendit që të mbrojnë dhe të ruajnë këtë kujtesë, duke theksuar se drejtësia për fëmijët, gratë dhe të gjitha viktimat e luftës mbetet një detyrë e përbashkët kombëtare.