Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve, A.E. dhe L.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, nga data 20 tetor 2023 e në vazhdim, të pandehurit kanë shkelur detyrat e tyre zyrtare lidhur me projektin për ndërtimin e lapidarëve në fshatrat Studenqan, Vraniq dhe Dubravë. A.E., në cilësinë e menaxherit të kontratës, ka urdhëruar operatorin ekonomik të ndryshojë projektin dhe të kryejë punime që nuk ishin pjesë e projektit, duke anashkaluar zyrën e prokurimit dhe autoritetin kontraktues.
Ndërsa L.G., mbikëqyrëse e drejtpërdrejtë e projektit, ka pranuar këto shkelje, duke lejuar përfitim të paligjshëm për operatorin ekonomik dhe duke konfirmuar me nënshkrim të dhënat e pa vërteta për pagesa, përfshirë 41.270 € për punime të papërfunduara dhe 7.377.20 € për punimet në fshatin Studenqan, të cilat nuk ishin realizuar.
Këto veprime kanë shkaktuar dëm financiar për buxhetin e Komunës së Suharekës.
Prokurori i çështjes ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, ndaj tyre mund të shqiptohet dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik.