Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka shprehur shqetësim për valën e re të dhunës së kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor, duke paralajmëruar se këto ngjarje mund të rrezikojnë përpjekjet për ruajtjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Në deklaratën e tij të parë mbi këtë çështje, Rubio tha se “ekziston një shqetësim se zhvillimet në Bregun Perëndimor mund të ndikojnë negativisht në përpjekjet për paqe në Gaza”, edhe pse shtoi se shpreson që kjo të mos ndodhë, shkruan Times of Israel.
Deklaratat e Rubio-s vijnë pas një sulmi masiv nga dhjetëra kolonë izraelitë që dogjën fabrika dhe toka bujqësore midis Nablusit dhe Tulkaremit.
Presidenti izraelit Isaac Herzog dhe komandantë të lartë të ushtrisë e dënuan këtë akt, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu dhe anëtarët e koalicionit të tij vazhdojnë të heshtin.
Kritikët e akuzojnë qeverinë për mbështetje të heshtur ndaj sulmeve, që tashmë ndodhin pothuajse çdo ditë.
Rubio nuk e dënoi drejtpërdrejt dhunën, por vlerësoi reagimet nga brenda institucioneve izraelite. Megjithatë, komentet e tij përbëjnë një ndër reagimet e rralla të administratës së presidentit Donald Trump ndaj çështjes së kolonëve.